Forumi Ekonomik i Grave organizoi një takim me përfaqësuese të bizneseve dhe shoqërisë civile në kuadër të projektit “Më shumë zgjedhje - Vende Pune Miqësore për Familjet”. Ky projekt ka si qëllim të intensifikojë dialogun me qeverinë dhe sektorin privat për promovimin e modeleve të punës që mbështesin balancën mes angazhimeve profesionale dhe atyre familjare.
Politikëbërësit dhe sektori privat duhet të krijojnë mundësi që mbështesin aspiratat profesionale të individëve, duke siguruar që ata të kenë mundësi të përmbushin qëllimet familjare dhe të promovojnë role të barabarta të kujdesit midis burrave dhe grave. Në këtë takim, u diskutuan mangësitë ligjore në Kosovë që ndikojnë negativisht në punësimin e grave, sidomos atyre nga komunitetet jo shumicë.
Përfaqësues të bizneseve shprehën mbështetje për këtë nismë dhe u angazhuan për bashkëpunim në adresimin e rëndësisë së politikave miqësore ndaj familjes. U theksua nevoja për identifikimin e kompanive model që kanë implementuar dhe zbatuar këto politika.
Ky projekt mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).