Në Evropën Lindore, përfshirë Ballkanin Perëndimor, pabarazitë gjinore dhe diskriminimi vazhdojnë të ndikojnë në dinamikat familjare dhe në shoqëri. Normat dhe praktikat e dëmshme që diskriminojnë gratë dhe vajzat kontribuojnë në shkallën e ulët të punësimit të grave në rajon dhe vështirësitë që ato hasin për të balancuar përgjegjësitë familjare dhe jetën profesionale. Ballkani Perëndimor përballet me dallime të mëdha gjinore në pjesëmarrjen në tregun e punës, në pagesa dhe në ngarkesën e punëve të papaguara të kujdesit.
Shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës varion nga 52 për qind në Shqipëri në vetëm 16.5 për qind në Kosovë, dukshëm më e ulët se ajo e burrave.
Faktorët që kontribuojnë në këto dallime përfshijnë mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit, mungesën e mundësive për punë fleksibile dhe politikat familjare që nuk adresojnë në mënyrë të drejtë pabarazitë gjinore. Për më tepër, rajoni po përballet me ndryshime demografike – shkallë të ulëta të lindshmërisë dhe plakje të popullsisë – që do të jenë të vështira për t’u përballuar për sa kohë që vazhdojnë pabarazitë në të ardhura, arsim dhe mundësi punësimi për gratë.
Për të adresuar këto sfida, është thelbësore të zbatohen politika familjare që janë të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore dhe që promovojnë përfshirjen e baballarëve dhe mbështetje gjithëpërfshirëse për të dy prindërit. Megjithatë, politikat ekzistuese janë të fokusuara kryesisht në mbështetjen e nënave, duke krijuar pasiguri dhe mospërputhje në dispozitat për lejen e lindjes, atësisë, prindërimit dhe kujdesit.
Për të adresuar boshllëqet ekzistuese në politika, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore ka nisur fazën e dytë të projektit “Zgjerimi i Zgjedhjeve: Politika Familjare të Ndjeshme ndaj Gjinisë për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor”, i cili zbatohet në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Me mbështetje nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), UNFPA po bashkëpunon me qeveritë dhe sektorin privat për të promovuar politika familjare të ndjeshme ndaj gjinisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi. Të dhënat tregojnë se këto politika — qofshin ato të zbatuara në nivel kombëtar apo në sektorin privat — janë mjete të fuqishme për të sfiduar normat diskriminuese gjinore dhe për të rishpërndarë punën e papaguar të kujdesit, duke u mundësuar grave dhe burrave të ndjekin objektivat e tyre profesionale dhe familjare. Qëllimi i projektit “Zgjerimi i Zgjedhjeve” është të fuqizojë gratë që të marrin pjesë plotësisht në tregun e punës dhe të marrin vendime të informuara mbi jetën familjare dhe atë profesionale, duke kontribuar kështu në zhvillim më të qëndrueshëm dhe më të barabartë gjinor.
Projektit synon të:
1. Rishpërndajë në mënyrë të barabartë punën e papaguar të kujdesit midis grave dhe burrave,
2. Përfshijë sektorin privat në krijimin e vendeve të punës që mbështesin jetën familjare,
3. Dhe të promovojë norma të reja shoqërore që mundësojnë barazi të vërtetë gjinore.
Në fazën e parë të projektit, përmes një vlerësimi gjithëpërfshirës dhe rigoroz të mbi 25 kompanive private që operojnë në Kosovë, UNFPA identifikoi shtatë biznese që treguan vullnet dhe angazhim për të avancuar politika të brendshme që mbështesin familjen. Këto Kompani Kampione kanë dëshmuar se politikat miqësore për familjen jo vetëm që zgjeron zgjedhjet për gratë dhe burrat në tregun e punës, por gjithashtu rrisin fleksibilitetin, kapacitetin dhe konkurrueshmërinë e vetë kompanive.