Për ne
10% janë gra ndërrmarrëse në raport me 90% burra.
22% e grave marrin pjesë në tregun e punës
2.8% e fëmijëve nga 0-4 vjeçjanë regjistruar në çerdhe apo kopshte.

Forumi Ekonomik i Grave (FEG) është një trup i pavarur, gjithëpërfshirës e unifikues, që ka mbledhur rreth vetes akterë, organizata e individë të shoqërisë që angazhohen për zhvillimin dhe fuqizimin e grave në ekonomi. Forumi është themeluar bashkërisht nga organizatat që përfshihen në mënyrë aktive në përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë. Projekti për themelimin e FEG është ideuar nga Instituti Riinvest, me mbështetjen e Programit Angazhimi për Barazi, financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim - ATRC. Akti i themelimit të forumit është nënshkruar më 16 Nëntor 2016.

Kosova aktualisht karakterizohet nga një mosbalancim gjinor për sa i përket pjesëmarrjes së grave në ekonomi. Kjo vërehet në disa fusha, duke përfshirë, mes tjerash:

• Pjesëmarrjen në fuqinë punëtore;
• Nivelin e punësimit dhe papunësisë;
• Aktivitetet e ndërmarrësisë; dhe
• Pozitën e pabarabartë përballë barrierave në mjedisin afarist.

FEG ka për qëllim parësor avancimin e pozitës së grave në ekonomik, qoftë si punëdhënëse apo si punëmarrëse, nëpërmjet krijimit të një platforme të përbashkët avokuese. Në mënyrë specifike, FEG ka këto objektiva:

Objektivi 1:
Të avancojë kanalet avokuese të akterëve relevantë, nëpërmjet ndërtimit të një platforme më efektive dhe më gjithëpërfshirëse, që do të përkthehej në fund në aktivizim, kushte dhe mundësi më të mira për gratë në biznes.

Objektivi 2:
Të transformojë komunikimin e institucioneve publike me akterët relevant të angazhuar në përmirësimin e rolit të grave në ekonomi, duke standardizuar procesin e komunikimit dhe intervenimit në të ardhmen.

Objektivi 3:
Të prioritizojë çështjet me rëndësi për trajtim, nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të burimeve, analizave dhe kapaciteteve avokuese në Kosovë.

Objektivi 4:
Të identifikojë dhe trajtojë temat që ndërlidhen me rolin e grave në ekonomi, nëpërmjet krijimit të një agjende nacionale që do të shërbejë si bazë afatgjatë e avokimit mbi këtë temë.

FEG përmes fushatave avokuese, takimeve, studimeve, mbledhjes së të dhënave, analizave e konsultimeve, për herë të parë në Kosovë, ka hartuar “Agjendën nacionale për gratë në biznes” (ang. “Women National Business Agenda”) që është një dokument gjithëpërfshirës i angazhimit të nevojshëm politik dhe shoqëror në fushatën e mbështetjes së grave në ekonomi.

Forumi Ekonomik i Grave është koalicion i organizatave të shoqërisë civile me këtë përbërje: Instituti Riinvest; Rrjeti i Grave të Kosovës; Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D); Qendra Kosovare për Studime Gjinore; Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase; dhe Kosova-Women 4 Women, Instituti GAP.