Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, platformë e organizatave të shoqërisë civile që avokon për përmirësimin e kushteve për gratë në tregun e punës. Në këtë takim, ndër të tjera, u diskutua për shtyrjen e ndryshimit të Ligjit të Punës, çështjen e pagesës së pushimit të lehonisë dhe çështje të tjera që ndërlidhen me barazinë gjinore.
Koordinatorja e Forumit, znj. Saxhide Mustafa tha se pa këto reforma nuk mund të ketë përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës, e që për momentin është në nivelin e ulët. Ajo shtoi se organizatat e shoqërisë civile kanë kryer analiza dhe hulumtime të ndryshme rreth kësaj teme dhe presin nga institucionet që t’i përfshijnë ato në bërje të politikave sociale dhe ekonomike. Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi rëndësinë që ka harmonizimi i legjislacionit dhe përafrimi i tij me standardet e BE-së, e sidomos ligjet ku në fokus kanë të drejtat e punëtorëve, duke përfshirë edhe barazinë gjinore, sigurinë dhe shëndetin në punë, respektimin e të drejtave të punësuarve dhe dialogun social.
Ishte vlerësim i përbashkët se transparenca dhe gjithëpërfshirja ne procesin legjislativ, ndikon që të kemi ligje që gjejnë zbatim në praktikë dhe ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përparimit të të drejtave të njeriut.