News

Forumi Ekonomik i Grave (FEG) mori pjesë në punëtorinë me temën: “Ndërtimi mbi Progresin: Ngritja e mëtejme e lidershipit të Kosovës në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, të organizuar nga Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Punëtoria trajtoi rëndësinë e Planeve Kombëtare të Veprimit (PKV) për Agjendën Gratë, Paqja dhe Siguria, duke i theksuar ato si mjete thelbësore për fuqizimin e barazisë gjinore dhe ndërtimin e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Qëllimi i saj ishte të ofrojë perspektiva ndërkombëtare përmes ekspertit Mirsad Jacevic, mbi përvojat dhe sfidat e vendeve që kanë miratuar dhe zbatuar këto plane.

FEG u përfaqësua nga Koordinatorja e saj, znj. Saxhide Mustafa, e cila kontribuoi në diskutime duke reflektuar mbi përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin e politikave të lidhura me agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe gjithëpërfshirjes në hartimin e politikave gjinore.

Punëtoria u organizua nga Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e themeluar në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.