Instituti “Riinvest” është “think-tank” më i vjetër në Kosovë, duke vepruar që nga viti 1995. Ne promovojmë zhvillim modern ekonomik të bazuar në filozofinë e ndërmarrësisë. Përgjatë dy dekadave të fundit, kemi prodhuar analiza, publikime dhe raporte të ndryshme socio-ekonomike; kemi organizuar seminare, konferenca, tryeza dhe takime me vlerë të madhe ekonomike dhe biznesore për vendin; kemi zhvilluar tregje, sektorë dhe ndërhyrje të tjera në vlerën zinxhirore. Njohuria dhe përvoja jonë na lejon që të jemi konkurrues dhe kompetentë në trajtimin e çështjeve socio-ekonomike dhe biznesore.
Instituti Riinvest është një “think-tank” lider, jopartiak, në fushën e zhvillimeve socio-ekonomike në vend.
Avantazhi më i fortë i “Riinvest”-it mbështetet në stafin e tij, kualifikimin profesional dhe akademik, si dhe në përvojën dhe përkushtimin në kryerjen e aktiviteteve në përputhshmëri me misionin e tij, mision i cili synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, i bazuar në ekonominë e tregut. Stafi ynë përbëhet nga individë të dalluar të shoqërisë kosovare – shumica hulumtues të rinj me kualifikim akademik nga shtetet perëndimore – dhe si rezultat i këtij grupi të dalluar hulumtuesish, kualiteti i produkteve të “Riinvest”-it ka qenë gjithmonë sipas standardeve më të larta profesionale dhe etike. Në fakt, për shkak të kualitetit të raporteve, analizave, tryezave, diskutimeve dhe misioneve të avokimit, “Riinvest”-it ka arritur të sigurojë qëndrueshmërinë dhe të mbajë raporte partneriteti me donatorët, partnerët dhe organizatat e tjera më relevante në Kosovë; për më tepër, ka arritur të mbajë besueshmërinë ndaj publikut të gjerë duke treguar qëndrime në çështje të ndryshme socio-ekonomike të vendit. Reputacioni ynë na ka mundësuar që të jemi më efektivë gjatë avokimit në komisione parlamentare, gjatë diskutimit në debate publike, apo gjatë konsultimeve me biznese, ndërmarrës, pjesëmarrës tregu, parti politike ose organizata ndërkombëtare në Kosovë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj qëndrueshmërie derivon nga lidhjet e forta të brendshme të organizatës, të cilat sigurojnë kualitet, transparencë dhe qeverisje të mirë institucionale. “Riinvest“-i përpiqet vazhdimisht t’u përmbahet parimeve më të larta të qeverisjes.
Instituti “Riinvest” është i angazhuar në katër fusha kryesore: a) hulumtime dhe avokim; b) zhvillimi i tregut; c) trajnime dhe edukim; dhe d) hulumtime akademike.
Përderisa zhvillimet e së ardhmes vazhdimisht krijojnë sfida të reja për ne, Instituti “Riinvest” mbetet i gatshëm që mbi përvojën e ndërtuar deri më tani, mbi parimet e kredibilitetit e paanshmërisë, dhe mbi aktivizimin e vazhdueshëm zhvillimor, do të arrijë të ndërtojë dhe ofrojë zgjidhje për zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror.