Vesti

Instituti Riinvest prezantoi analizën më të re mbi hendekët gjinorë në tregun e punës në Kosovë dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
Dokumenti “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave” u zhvillua me mbështetjen e UNFPA Kosova dhe financimin e Austrian Development Agency (ADA).

Studimi, bazuar në metodologjinë ndërkombëtare Gender Employment Gap Index (GEGI), vlerëson se mbyllja e hendekut gjinor në punësim do të rriste BPV-në për frymë deri në 21.1%, ndërsa barazimi në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore do të sillte rritje prej 5.9%.

Gjetjet e studimit u prezantuan nga Erisa Kallaba, hulumtuese në Riinvest Institute. Pas prezantimit, u zhvillua një diskutim paneli me përfaqësues nga institucionet, akademia dhe sektori privat, përfshirë Saxhide Mustafa (Forum Ekonomik i Grave), Edi Gusia (Agjencia për Barazi Gjinore), Muhamet Klinaku (Agjencia e Punësimit), Blendi Hasaj (Instituti GAP), Ardiana Gashi (Universiteti i Prishtinës) dhe Merita Qerimi (Meridian/Spar).

Panelistët sollën perspektiva të vlefshme mbi pengesat strukturore që kufizojnë gratë në tregun e punës dhe rekomandime për politika gjithëpërfshirëse që nxisin barazinë dhe rritjen ekonomike.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Më shumë Zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjet në sektorin privat në Ballkanin Perëndimor – Faza 2 në Kosovë”, që zbatohet nga Instituti Riinvest – Women’s Economic Forum, me mbështetje të UNFPA Kosova dhe financim të ADA.

Shiko ngjarjen e plotë: Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave