Vesti

Pas takimit të 2 nëntorit 2023, përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave (FEG) u takuan sërish me Kryeministrin Kurti, Ministrin Murati, Zëvendësministrin Dobruna dhe znj. Leonora Selmani nga Agjencia për Barazi Gjinore. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i propozimeve të FEG lidhur me Ligjin e punës, me fokus të veçantë te dispozitat për lejen e lehonisë. Kryeministri Kurti rikonfirmoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim. Në këtë takim, Ministri Murati njoftoi se Projektligji i punës do të jetë i gatshëm për diskutim publik brenda pak javëve. 


Megjithatë, nuk u ofrua informacion rreth përmbajtjes së dispozitave për lejen e lehonisë, pushimin prindëror dhe atë atësor, siç pritej nga premtimi i dhënë në takimin e datës 2 nëntor 2023, nga Kryeministri Kurti. FEG theksoi se fuqizimi ekonomik i grave mbetet prioritet dhe se ky forum do të vazhdojë të angazhohet në avokimin për politika të favorshme për gratë në tregun e punës, me synim zvogëlimin e disbalancës gjinore. Në veçanti, FEG përmendi dispozitat e lejes së lehonisë si një barrierë në tregun e punës, duke përfshirë kontratat e shkurtra, mos pagesën e lejes së lehonisë, etj. 

Sektori privat gjithashtu e identifikon pagesën e lejes së lehonisë si një barrë financiare, duke përfshirë koston e zëvendësimit të punëtoreve. Përfaqësueset e FEG theksuan kërkesat e tyre për kompensim nga shteti për barrën financiare në gjashtëmujorin e parë, një muaj pushim të atësisë dhe dy muaj pushim prindëror mbeten kërkesa thelbësore të cilat duhet t’i marrë parasysh Qeveria e Kosovës. Këtë model, FEG e sheh si një mundësi për të zvogëluar barrën për sektorin privat dhe për të ndikuar në zbutjen e papunësisë, veçanërisht për gratë në moshën reproduktive. 


Në këtë takim morën pjesë përfaqësueset e FEG: Saxhide Mustafa nga Instituti Riinvest, Igballe Rogova nga RrGK, Xhyljeta Devolli nga RrOGRAEK, Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP, Luljeta Demolli nga QKSGj dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D.