News

Shoqëria kosovare shënon një nivel të ulët të konsensusit për të kaluar paragjykimet ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Është më se e nevojshme që për një të ardhme më të qëndrueshme dhe demokratike të rriten kampanjat e vetëdijesimit dhe sensibilizimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe të rriten urat e bashkëpunimit, integrimit dhe përkrahjes së këtyre komuniteteve. Si rezultat i qasjes së pamjaftueshme gjithëpërfshirëse, mund të thuhet që investimet për të integruar komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në shoqëri dhe treg të punës janë shumë të vogla apo nuk ekzistojnë fare, që shton perceptimin që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë harruar nga institucionet dhe shoqëria kosovare.

Ballafaqimi me pandeminë COVID-19 për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptjan në Kosovë e ka rënduar më tej gjendjen e tyre duke pasur parasysh situatën e këtyre komuniteteve para pandemisë- gjendje e rëndë me mungesë të kushteve elementare të jetesës, duke prodhuar një situatë që mund të jetë alarmante. Situata e rëndë socio-ekonomike dhe pjesëmarrja shumë e ultë në tregun e punës vjen në mungesë të nxitjes si pasojë e paragjykimeve duke lënë jashtë integrimit shoqëror dhe privuar ato nga të qenit pjesë e punësimit në sektorin privat dhe atë të vetëpunësimit.

Kosova ka një bazë të fortë ligjore e cila garanton barazinë e komuniteteve në shoqëri, megjithatë, të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë kanë shkallën më të lartë të papunësisë, jo-aktivitetit dhe përfshirjessë ulët në shkollë, punë dhe aftësim profesional. Me fjalë tjera, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian ballafaqohet me nivele të larta të varfërisë, arritje të ulët arsimore dhe qasje të ulët në shërbime të tjera publike në krahasim me pjesën tjetër  të popullatës në Kosovë.

Hulumtimi i fundit nxjerr se 82 përqind e respodentëve të aftë për punë janë deklaruar se nuk janë në marrëdhënie pune, të cilët tregojnë se kanë kualifikimet e duhura ose janë duke ndjekur kualifikimet e nevojshme që do mundësojnë përfshirjen e tyre në tregun e punës.(RROGRAEK, 2019)

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian si pjesë e shoqërisë kosovare kanë nevojë për përkrahje drejt integrimit në shoqëri.  Gjendja në terren dëshmon për kushtet e vështira socio-ekonomike, varfërisë dhe pa punësisë së tyre.

Këto komunitete, pa dallim moshe, gjinie, e në veçanti të rinjtë, kanë nevojë për përkrahje drejt promovimit të tyre në tregun e punës. Këto komunitete krahasuar me popullsinë tjetër në Kosovë përballen me nivelin më të lartë të papunësisë dhe nivelet më të ulëta të punësimit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Rreth 95 përqind të grup moshës 18-24 vjeç nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë të papunë, pavarësisht arsimittë lartë të arritur, dhe vende të lira të punës në sektorë të ndryshëm(Organizata Ndërkombëtare e Punës, 2019). Ajo çka vlen të përmendet është fakti i mungesës së komunikimit ndërmjet akterëve- sektorit publik, privat dhe komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian - dhe prezenca e paragjykimeve që kanë kontribuar në një hendek më të madh të përfshirjes në tregun e punës. Për më tepër, edhe pse në mungesë të të dhënave, sipas bashkëbisedimeve me anëtarët e këtyre komuniteteve, shkalla e papunësisë dhe varfërisë është rritur edhe më tej gjatë pandemisë COVID-19. Besimi në këtë hipotezë rritet kur kemi parasysh se kjo kategori ka qenë e përfshirë kryesisht në tregun joformal të punës.

Si në gjithë Kosovën, gratë kanë një pozitë të pafavorshme në tregun e punës, me gjendje të rëndë dhe me një pjesëmarrje shumë të ulët në tregun e punës. Ky trend i papunësisë se gruas është valid edhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Se gjendja e grave të këtyre komuniteteve është e pa lakmuar flet fakti se vetëm gjatë pandemisë rreth 60 përqind e numrit te të gjithë punëkërkuesve janë gra (Instituti GAP, 2020).

Arsyet për një gjendje të tillë mund të jenë të ndryshme. Një ndër to është që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë ballafaqohen më rëndë si rezultat i mungesës së trajnimeve, gjë që privon të rinjtë e këtij komuniteti, dhe jo vetëm, të mos jenë në trend me zhvillimet e teknologjisë përkundër pjesëmarrja dhe aplikimet për punë në sektorin publik dhe privat. Pavarësisht ideve të mira, të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptian deri më tani nuk kanë gjetur mbështetjen për start-up-a nga institucionet e Kosovës, dhe kishin një përkrahje simbolike nga organizatat dhe agjensionet ndërkombëtare.

Arsye tjetër është që bizneset e pakta të këtyre komuniteteve ballafaqohen me mungesë të bashkëpunimit me kompanitë tjera vendore në Kosovë. Hezitimi i popullatës tjetër për të blerë produktet apo shërbimet e bizneseve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian vetëm për arsye paragjykimi rëndon edhe më tej situatën.

Pakoja Emergjente Fiskale e Qeverisë së Kosovës nuk ka përfshirë sa duhet nevojat e komuniteteve në kohën e rëndë të krijuar gjatë pandemisë. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme dhe burokracisë së tepërt duke ndikuar që një numër i madh i tyre mos të arrijë të aplikojë për këto përfitime, edhe pse të realizuara në mënyrë gjysmake për shkak të krizës politike.

------

Ky editorial është pjesë e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj pandemisë COVID-19 – mbështetja e grupeve më të cenueshme te grave” i iniciuar dhe financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, që implementohet nga Forumi Ekonomik i Grave.